Çfarë ndodhi me Tuchel? Taktikat tronditëse të Anglisë kundër Argjentinës
00:00 |
16 Korrik 2026
Anglia u mposht 2-1 në gjysmëfinale nga Argjentina, dhe humbi mundësinë e artë të kualifikohet në finale pas 60 vitesh. “Tre Luanët” patën epërsinë por ajo u përmbys nga Messi me shokë.
Që nga goli i shënuar në minutën e 55-të, selektori i Anglisë, Thomas Tuchel vendosi t’i kthej skuadrën e tij të mbrohej ndaj një Argjentine të jashtëzakonshme, shkruan Arbresh.info.
Pse të biesh në një kurth kur mund të biesh në dy? I dyti ishte i krijuar nga vetë Anglia.
Në aspektin futbollistik, Anglia nisej disa shkallë më lart se kampionia në fuqi e botës.
Epërsia teknike e “Tre Luanëve”, me përjashtim të Lionel Messit, ishte e dukshme dhe e prekshme.
Pikërisht për këtë arsye, Lionel Scaloni zgjodhi një qasje tipike argjentinase, të bazuar te lufta fizike, intensiteti dhe duelet e forta, shkruan mediumi i madh spanjoll Diario AS.
Thomas Tuchel ra plotësisht në grackën e “Albiceleste”, që synonte ta anonte ose të paktën ta barazonte ndeshjen përmes agresivitetit dhe vendosmërisë.
Sigurisht, nuk munguan as ndërhyrjet e ashpra. Që nga udhëtimi me autobus drejt stadiumit e deri te himnet para ndeshjes, plani i Argjentinës ishte pothuajse i përsosur.
Dhe pikërisht kur dukej se trajneri gjerman kishte arritur t’i shpëtonte këtij presioni, ai e fundos vetveten me vendimet e tij.
Të ishe më pragmatik se Gareth Southgate dukej e vështirë, por përzgjedhësi aktual i Anglisë e tejkaloi edhe këtë.
“Tre Luanët” kishin treguar ndaj Meksikës dhe Norvegjisë se dinin të fitonin duke vuajtur dhe duke mbrojtur rezultatin.
Me pritjet vendimtare të Jordan Pickford dhe dominimin në lojën ajrore të Dan Burn, Anglisë i duhej vetëm të rezistonte edhe një herë për të siguruar finalen e dytë në historinë e saj në Kupën e Botës.
Megjithatë, plani anglez ishte tepër i rrezikshëm. Tërheqja e skuadrës me katër qendërmbrojtës dhe dy mbrojtës krahu, duke ia lënë hapësirën para zonës lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave, Lionel Messit, nuk ishte zgjedhja ideale. Aq më tepër kur eliminimi nga Kupa e Botës erdhi me një gol me kokë nga afërsia e portës.
Anglia ka humbur një mundësi historike për të luajtur finalen e Botërorit, ndërsa Thomas Tuchel, ndoshta, ka humbur edhe postin e tij si përzgjedhës./Arbresh.info