Browse

Article 1 min read

Ministri shpall serben 'non grata': Çfarë fshihet pas këtij vendimi të guximshëm?

Share Post

21:02 | 14 Korrik 2026

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë vendim për shpalljen e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, Snezana Paunović, person “non grata” në Kosovë.

Sveçla, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka deklaruar se deklaratat e ministres serbe përbëjnë vazhdimësi të një politike që, sipas tij, ka prodhuar dhunë dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.

“Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Slobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se kjo gjuhë dhe kjo aspiratë “nuk është e re”, duke e cilësuar si vazhdimësi të një politike shtetërore që, sipas tij, ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve.

“Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës”, ka deklaruar ai.

Sveçla ka bërë të ditur se vendimi për shpalljen e Paunović si person të padëshirueshëm për Kosovën përfshin ndalim të përhershëm të hyrjes apo kalimit tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka shtuar se, sipas tij, “epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”.

“Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari”, ka shkruar Sveçla.

Në fund, ministri në detyrë ka theksuar se çdo përpjekje për të cenuar sovranitetin e Kosovës apo për të rikthyer ideologjitë e spastrimit etnik do të përballet me, siç u shpreh ai, “përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”./Arbresh.info